1. HYRJE


Përderisa vendosa të zhvilloj këtë temë ndjehem e detyruar të shpjegoj fillimisht termin: “të krahasuar”, apo të theksoj faktin e planit krahasues, ose të shprehemi më saktë, se: “çfarë është letërsia e krahasuar”?. Letërsia e krahasuar, e cila për objekt studimi ka lidhje në fushën e letërsisë ndërmjet veprave të ndryshme letrare ose gjuhësore, është një aspekt metodik i hulumtimit të lidhjeve të analogjisë, të afrisë e të ndikimit, për të krahasuar faktet dhe tekstet letrare ndërmjet tyre, me kusht që ato t’i përkasin shumë pikëpamjeve gjuhësore dhe kulturore të ndryshme, ose edhe një tradite të vetme, për t’i kuptuar e shijuar më mirë. Letërsia e krahuasuar të ofron skemën e komunikimit gjuhësor të Jakobsonit: dhënës – mesazh - kod – kanal –kontekst - marrës. Kjo skemë është praktikuar në studimin e gjuhësisë së sotme[1], e cila në skemën e komunikimit letrar, sipas Zoharit, do të konvertohej kështu: prodhues – produkt – repertor – treg – institucion - konsumator. Po që ta zbërthejmë më tej do të shpjegohej në këtë mënyrë: një konsumator (lexuesi) mund të konsumojë përmes tregut (rrjeti i shpërndarjes), një produkt (teksti), të krijuar nga një prodhues (shkrimtari) mbi bazën e një repertori (normat, modelet) të përcaktuara e konsakruara këto nga institucioni (kritika, qarqet akademike)[2].

Letërsia gojore e çdo populli është burim i pashtershëm për njohjen e kulturës, jetës dhe shpirtit të tij. ”Ishte edhe frymëzim për talentët më të njohur të letërsisë artistike. Në kulturën artistike popullore, në përgjithësi, e në krijimtarinë tregimtare, në veçanti, mitologjia popullore zë një vend të rëndësishëm, si dëshmi e lashtësisë së popullit tonë; si barazi e mitologjisë sonë e atë pellazgjike; si bazë e ideve dhe dëshmive për autoktoninë e shqiptarëve në Ballkan”.[3]

Dhimitër Paskoja, që ne e njohim si Mitrush Kuteli, shkroi sipas Fjalës së Orakullit Oral shqiptar. Në të vërtetë, diskursi oral në prozën e tij, shumë herë zhvillohet si diskurs i identitetit. Ky njeri lidhet me letrat shqipe, përmes amëzave orale, si model shkrimi e mendimi, si gjuhë e si etnos kombëtar, por edhe si letërsi vendi, të cilën ky do ta rigjenërojë në mënyrën të vet, përmes një shkrimi letrar që niset prej përshkrimit e ecën drejt metonimisë dhe alegorisë[4].

Oraliteti te ai ka qenë shkollë e parë dhe kryesore për formimin e tij letrar. Kuteli ishte njeri i rritur në mitrën e Oraliteti, të të gjitha formave e zhanreve të krijimtarisë e të rrëfimtarisë gojore[5]. Ai është shkrimtari më emblematik, i cili i ndërtoi rrëfenjat e tij mbi bazamentin, përvojën, substratin e letërsisë popullore. Në këtë mënyrë, duke njohur në gjerësi dhe thellësi këtë traditë, shkrimtari ynë i përvetësoi me mjeshtëri kallëzimet, legjendat, gojëdhënat, anekdotat, rapsoditë popullore. ”Një nga vështirësitë kryesore të letërsisë gojore është kthimi i saj në tekst të shkruar[6], siç e shohim të Kuteli veprën e tij: ”Tregime të moçme shqiptare”.

Me stilin e tij, Kuteli është shkrimtari i një vokacioni të veçantë në letërsinë shqipe. Duke e shkruar mjeshtërisht rrëfenjën, si lloj specifik letrar, ka arritur të krijojë vlera të përhershme të prezantimit[7]. Diapazoni i tij i fuqishëm krijues intelektual lidhet me tregimet dhe rrëfenjat, kur i prodhon dhe i riprodhon në dy forma: në variante dhe në versione. Gjithsesi, në pikëpamje të procedimit dhe të zhvillimit stilistik, vepra e Kutelit shënon prirje të reja, veçan me modernitetin e rrëfimit letrar. Ai, jo vetëm pse shkruan për temat shqiptare, por i hulumton këto tema deri në thellësi të origjinave të tyre mitike, historike, narrative e semantike dhe i modelon sipas gjedheve paraprake të njohura, të kulturës gojore, të këngës, përrallës fjalës së urtë, traditës etnike, gojëdhënës e magjisë.

Gogoli, Turgenievi dhe Kuteli i përkasin dy kombësive të ndryshme. Kjo sjell, që edhe rrëfenjat e tyre do të na pasqyrojnë dy botëkuptime, dy vizione për jetën, dy kombësi, tek të cilat mund të hasim edhe pikëtakime dhe arti i tyre të shihet si një enë komunikuese mes këtyre dy poleve të ndryshme, që paraqesin një diversitet kulturor dhe artistik mbi të gjitha. Kjo kërkon njohje të mirë të këtyre vendeve dhe kulturave që ata përfaqësojnë, përmes një mjeti mjaft të rafinuar dhe efikas siç është arti letrar.

Emri i Gogolit është një ndër emrat e shkrimtarëve rusë më të shquar të shekullit të kaluar. Shpesh tek ky autor nxjerr kryet fantastikja, që rëndom është fantastikja qesharake a tragjike e përrallave, e besimeve popullore. Djalli i tregimeve të tij është qesharak, përrallor, por ka edhe dobësi e vese njerëzore. Fantastikja nga Gogoli përdoret me mjeshtëri e me një origjinalitet të rrallë. Ajo nuk qëndron jashtë jetës së përditshme, por përzihet me të, aq sa nuk e dallon ku është e vërteta e ku nis trillimi. Krijimtaria popullore i ka përfytyruar kurdoherë qeniet mbinjerëzore si pjesëmarrëse në jetën e përditshme të njeriut, që bashkëveprojnë me njeriun, e ndihmojnë ose e pengojnë atë. Kështu vepron edhe Gogoli me figurat e djajve, të shtrigave etj.

Gogoli i paraqet në formë komike e familjare, ashtu siç është karakteristike për konceptimin popullor të këtyre personazheve përrallore, por interesante është të vërehet se materialin e fantazisë popullore e bën, si të thuash, tokësor, madje edhe e çmitizon.

Ivan Turgenievi shprehu në librin e tij të nxjerrë me titullin e thjeshtë: “Kujtimet e një gjahtari” rezultatet e vëzhgimeve që i kishte bërë vite me radhë jetës fshatare dhe çifligare të kohës së bujkrobërisë. Është e vërtetë se në këtë libër autori u njofton lexuesve të tij hollësirat e gjahut të kaposhëve të egër të rosave, shkutrave, shapkave ose thëllëzave, por të gjitha këto episode nuk janë gjë tjetër veçse një hyrje ose një sfond i tregimeve. Turgenievi e përdori formën e kujtimeve të gjahut, sepse kjo formë i jepte mundësi që duke kapur lirisht një rast ose tjetrin të bënte një përshkrim të plotë të jetës ruse të kohës së bujkrobërisë. Vepra e Turgenievit në radhë të parë: “Kujtimet e një gjahtari”, ka një vlerë shumë të madhe përsa i takon përshkrimit të natyrës dhe sidomos figurave demonologjike.[8]

Në veprën e Turgenievit dashuria e thellë për popullin rus është e lidhur ngushtë me dashurinë e madhe për natyrën ruse. Aty na dalin përpara stepat e gjëra e pa kufi, sheshet e luadhet e njomë, pyjet dhe korijet me baloshe, tërë stinët e motit se cila me bukurinë e saj.

Bukuria e tregimeve të Turgenievit qëndron të mprehtësia e të shkruarit shprehet Bloomi.[9]

Së fundi, do të doja të falenderoja veçanërisht udhëheqësin e kësaj mikroteze Dr. Agron Tufën, i cili falë mbështetjës dhe përkushtimit kemi realizuar këtë punim, të gjithë stafin akademik që kanë ndihmuar në forminin tim profesional, Biblotekën e Fakultetit si dhe Biblotekën Kombetare.

Faleminderit të gjithëve!



[1] Dado, Floresha: “Teoria e Letërsisë Moderne”, “Albas”, Tiranë, 2006, fq. 87.

[2] Jorgo, Kristaq: Leksionet e lëndës: “Letërsi e Krahasuar”, Janar, Tiranë, 2009, fq. 5.

[3] Krasniqi, Mark: “Aspekte mitologjike”, “Rilindja”, Prishtinë, 1997, fq. 18.

[4] Rrahmani, Kujtim: “Intertekstualiteti dhe oraliteti” Kuteli (Koliqi, Pashku)”, “AIDK” Prishtinë, 2000, fq. 136.

[5] Po aty, fq. 140.

[6] Yves, Chevrel: “Letërsia e Krahasuar”,“Puf”, Tiranë, 2002, fq. 98.

[7] Bashota, Sali: “Kuteli - prozator - poet - kritik”, “Rozafa”, Prishtinë, 2007, fq. 8.

[8] Turgeniev, Ivan: “Parathënje”, Zapsiski ohotnika / “Kujtimet e një gjahtari”, përktheu nga origjinali Dhimitër Pasko, “Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve”,Tiranë 1955, fq. 11.

[9] Bloom, Harold: “Si dhe pse të lexojmë”, “Dudaj”, Tiranë, 2008, fq. 27.